Albanians Mafia: Pronari i Detit: Pjesa II –– Aspekti juridik

Pronari i Detit: Pjesa II –– Aspekti juridikFoto: Giuseppe Mancino (www.giuseppemancinofoto.it)

Po rimarr reflektimin e nisur disa ditë më parë rreth qasjes së jashtëzakonshme shqiptare mbi konceptin e pronës private, duke analizuar më në detaje aspektin juridik të çështjes së pronarit të detit.

Ligji 7501 si metodë pasurimi

Katastrofa e pronësisë së tokës bujqësore në Shqipëri filloi me ligjin famëkeq 7501, i cili u ndau nga pak metra katrorë tokë punëtorëve të kooperativasve bujqësore.Ligji—i hartuar dhe miratuar me shpejtësi nga qeveria Nano në vitin 1991 dhe i mbajtur në fuqi nga qeveria Berisha më pas, si rezultat i trysnisë shoqërorë të asaj kohe—u kthey në një mjet sistematik zhvatjeje, kryesisht në kurriz të ish-pronarëve dhe akoma më shumë në kurriz të investitorëve të huaj.

Ndoshta pronari i detit me Ligjin 7501 ka përfituar pronësinë e ndonjë barakeje të ndërtuar në breg të detit, dhe ka menduar me veten e tij se, duke njohur dikë, me të njëjtën mënyrë mund të merrte edhe pronësinë e detit, dhe kaq i ka mjaftiuar për t’u ndjerë pronar i të tërës.

“Pronësia logjike” e të drejtës së pronës në Shqipëri

Në filim, fill pas rënies së komunizmit, koncepti ishte vetëm një: prona private, njësoj si liria vetjake, është e shenjtë dhe e paprekshme.

Fama dhe grykësia filluan shpejt të deformojnë zbatimin në praktikë të këtij koncepti, atëherë absolut dhe të pandashëm, të pronësisë private. Secili përqafoi e zbatoi në dobi të tij dhe sipas nevojës së tij koncepte të ardhura nga larg të pronësisë, të fituara nga bisedat me të afërmit e emigruar nëpër botë, nga vende me ligje të ndryshme për pronësinë.

Kush i referohej SHBA-ve ndihej pronar edhe i zogjve që fluturonin mbi tokën e tij, perveç se të asaj që mund të gjendej nën këmbët e tij. Kush i referohej Evropës zgjodhi të heshtëte për konceptin e tokës në përdorim me kusht. Pak pranonin koncepte si koncesionet për 99 vjet apo sisteme të tjera tipike anglosaksione. Të gjithë kundërshtonin konceptin e kushtëzimit të qëllimit të përdorimit të një toke apo të një prone. Në mungesë të një kuadri ligjir dhe të ndonjë ligjit të qartë çdokush e interpretonte sipas interesit konceptin e pronësisë, për kënaqësinë e shumë avokatëve të pamatur dhe injorantë që trillonin kontrata të denja për analiza psikiatrike.

Në këtë klimë, e drejta e vërtetë e pronës në Shqipëri erdhi pësoi evolucion duke marrë “veti logjike” të cialt mundësuan deformimin e të drejtës në praktikë, duke e zgjeruar, duke zhvatur e duke e kaluar të drejtën mbi pronën parësore mbi të gjithë atë që mund t’i nevojitej përreth saj. Kështu, pronarët e katit të fundit të një pallati u kthyen në pronarë edhe të tarracës, që shumë shpejt u kthye në një kat shtesë.Pronarët e katit të parë u kthyen në pronarë të hapësirë përreth pallatit, për të ndërtuar më pas garazhde ose zgjeruar hapësirën e banimit. Të njëjtin fat edhe për rrugët hyrëse që shpesh u kthyen në pronë që u nda mes atyre që ishin në rresht të parë, pa asnjë kokëçarje për të drejtën e kalimit nga persona të tretë.

Kemi qënë dëshmitarë edhe të rasteve të “kalimit” të pronësisë, si në rastin e linjave elektrike të cilat kur kalojnë në fushën e një pronari kthehen pashmangshmërisht në pronë të tij dhe nga ai moment lind pretendimi i një pagesë për të garantuar shpërndarjen e energjisë elektrike.

Nga kjo klimë juridiko-kulturore u krijua terreni për kultivimin e prepotencës dhe si pasojë të pasigurisë që i jep, ende sot pas gati një çerek shekulli, mundësinë pronarit të detit të ngrejë zërin.

E drejta e vërtetë e pronësisë e varur nga aftësia për të joshur

Një aspekt paradoksal i historisë së pronarit të detit është se koncepti i pronësisë që është shfaqur është koncept “romantiko-tregtar”, i cili bazohet në aftësinë e shitësit për të bindur se malli i ofruar ka disa karakteristika të përcaktuara të cilat kënaqin nevojat e blerësit. Ndërsa sistemi ekonomik ndërkombëtar ka si qëllim një koncept pronësie të një natyre më “objektive-kadastrale”, pra një listë të përcaktuar të drejtash e kufinjsh, hapësinorë dhe qoftë edhe të përkohshëm, të cilët janë të të pakundërshtueshëm dhe të regjistruar në mënyrë që nuk lejon dyshime.

Sigurisht i pari është më i përshtatshëm për të plotësuar kënaqësinë e pazareve tipike të kulturës levantine, por i dyti është çfarë pritet nga investitorët, që nuk pranojnë dot se duhet të përfshijnë në aventurë ndonjë padron apo kryebandit lokal që të shërbejë si garant se koncepti i dytë nuk do të transformohet në rrugë e siëpr në konceptin e parë.

E drejta “objektive” ndërkombëtare dhe specifikat vendase

Globalizimi dhe manifestimet e tjera të shpikura nga sistemi perëndimor, për të rihapur diskutimet e kohës së kolonializmit, tashmë kanë njehsuar shumë koncepte, duke i bërë ato të barazvleshme në të gjithë botën, përballë atij multikulturalizmi flamujsh të valëvitur pikërisht nga ato të majta perëndimore që kanë promovuar globalizmin.

Viktima e parë është domosdoshmërisht sistemi gjyqësor, që duhet të njësohet me parimet ndërkombëtare, në paqe me traditat dhe kulturat vendase, për të siguruar zhvillimin e trafiqeve ndërkombëtare. Nëse dëshiron të luash, duhet të pranosh këtë rregull.

Ama, kjo prodhon ama efekte me shpërthim të vonuar, me remishenca kulturore të vështira për t’u çrrënjosur, veçanërisht nga sistemi gjyqësor që mezi ia del të përshtatet me të renë që zhvillohet.

Po marr vetëm një shembull. Mes popullsive shqiptare, të paktën në bazë koncepteve të shprehura gjerësisht, subjekti i vërtetë i të drejtave të pronësisë ishte familja, e përfaqësuar nga kryeplaku, i cili që ndante të mirat brenda familjes, ndërkohë që në kodet moderne, të dettyr apo jo, titullari i të drejtës së pronës është vetë individi.

Kur ekziston një hendek ndërmjet të drejtës së kodifikuar dhe asaj të praktikuar në mënyrë spontane apo tradicionale, ky hendek prodhon konflikte, sepse zgjeron hapësirën e keqkuptimit të dukurive.

Por çfarë krimi po kryen padroni i detit?

Të gjithë njerëzit me bonsens që kam pyetur për çështjen e pronarit të detit kanë pranuar se kjo është një sjellje e padenjë, qartësisht e paligjshme dhe shumë e dëmshme për zhvillimin e ekonomisë dhe marrëdhënieve shoqërore. Pra, një sjellje e palejueshme që duhet të ndalohet, dënohet dhe ndëshkohet nga shteti, nëse do të ekzistonte një i tillë në Shqipëri.

Por para pyetjes sime se cili është krimi që ka kryer pronari i detit, për të cilin ai duhet të dalë përpara një gjykate dhe të dënohet, siguria në përgjigje e shumë prej bashkëfolësve të mi filloi të dobësohej.

Kodi penal shqiptar u miratua në Kuvend me Ligjin 7895 më 27 janar 1995. Që atëherë (deri më 22 maj 2017), ai është modifikuar 28 herë: 20 herë me ligje të votuara në Kuvend dhe tetë herë me vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Në 335 nene, plus disa nene të shtuara si fraksione të neneve ekzistuese, më shumë se 300 nene janë modifikuar të paktën një herë, dhe shumë të tjerë më shumë se një herë.

Vetëm në pjesën që fillon me nenin 73 e më poshtë, ku jepen përcaktimet e veprave penale të veçanta, janë ndryshuar praktikisht të gjitha nenet të paktën një herë, ndërsa nga 72 nenet e pjesës hyrëse dhe të parimeve janë ndryshuar vetëm 43 prej tyre.

Sigurisht koncepti i ligjit “i shkruar në gur”, aq i dashur për juristët romakë, nuk mund të zbatohet në rastin e Shqipërisë.

Mos njohja e ligjit është e papranueshme edhe në drejtësinë shqiptare, por edhe nëse pronari i detit ose viktima e tij do ta kishin studiuar (hipotezë jorealiste) kodin penal, me shumë mundësi nuk do të ishin kaq të sigurt në interpretimin e tij, duke parë që statistikisht çdo proces gjyqësor penal në Shqipëri përfundon me një kuadër ligjor të ndryshuar nga koha kur është kryer krimi.

Kërcënim? Zhvatje? (neni 109/b i Kodi Penal), Mashtrim? (neni 143), Zaptim Toke? (neni 200). Asnjë nga këto krime nuk duket i përshtatshëm për të përshkruar ndodhinë. Ajo që i afrohet më shumë është mashtrimi, por rreziku është se në seancën gjyqësore mund të dalë në pah pjesëmarrje aktive e viktimës, dhe kjo do të lironte të akuzuarin nga akuzat.

Në Kodin penal italian, në krimet kundër pronës, është përcaktuar edhe krimi i “mashtrimit të të paaftëve” që përshkruan më mirë bëmat e pronarit të detit: “çdo kush, që për fitim vetjak apo për të tjerë, duke abuzuar me nevojat, apo pasionet apo mungesën e përvojës së një personi të mitur, apo abuzon me gjendjen e pamundësisë apo paaftësisë mendore të një personi, duke e shtyrë të kryejë një akt që sjell çfarëdo lloj pasoje juridike të dëmshme për të ose të tjerët”.

Fatkeqësisht, në kodin penal shqiptar nuk ekziston asgjë e tillë, ndoshta sepse një përcaktim i tillë i krimit mund të kërcënojë themelet e të gjithë biznesit shqiptar.

______

Mendimet mbi “pronarin e detit” dhe mbi konceptin e pronësisë në Shqipëri do të përfundojnë në ditët në vijim. Pjesën e parë mund ta lexoni këtu.