Korrupsion kombëtar, e tërë shoqëria ta luftojë
Publikuar: E premte 6 Prill 2012, 10:24 0 Komente 3 Rekomandime

Qëllimi i fjalimit tim ka qenë që kjo është pjesë e një problemi më të madh shoqëror. Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme”, thotë ambasadori amerikan në intervistën ekskluzive për “Kosova Sot”
Intervistuan: Margarita Kadriu & Pranvera Musa
Ka pritur gjatë për të folur hapur, derisa është bindur se situata është alarmante. Në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë, ambasadori amerikan e ka kritikuar ashpër klasën politike kosovare. Kristofer Dell nuk ishte parë kaq i ashpër ndaj politikanëve tanë më parë. Pas pak ditësh, ai ka pranuar të japë komentet e tij për fjalimin e ashpër, duke ritheksuar se Kosova duhet të bëjë shumë më tepër që ta luftojë korrupsionin. Në vazhdim do të lexoni intervistën ekskluzive me ambasadorin amerikan Kristofer Dell, i cili direkt nga Departamenti i Shtetit në Uashington DC ka vendosur të flasë ekskluzivisht për gazetën “Kosova Sot” dhe të përgjigjet në shumë çështje të hapura në fjalimin e tij javën e kaluar.
“Kosova Sot”: Z. Ambasador, fillimisht Ju faleminderit për mundësinë për intervistë. Në këtë bisedë telefonike do të përqendrohemi vetëm në fjalimin tuaj të javës së kaluar, i cili, nëse mund të them, ishte ngjarja më e nxehtë dhe më interesante në vitet e fundit…
Ambasadori Dell: Ashtu mendoni? Atëherë ndoshta ka qenë thirrje alarmi, apo jo?
“Kosova Sot”: Përfundimisht thirrje alarmi. Reagimi i të gjitha partive politike pas fjalimit tuaj ishte se ju nuk e kishit fjalën për to! Cili është komenti juaj pas këtij reagimi?
Ambasadori Dell: Fjalimi im gjykohet sipas meritave të tij, përfshirë edhe një fjali ku më duket se kam thënë që asnjë parti në Kosovë nuk përjashtohet nga ky problem. Qëllimi i fjalimit tim ka qenë që kjo është pjesë e një problemi më të madh shoqëror. Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme.
“Kosova Sot”: Përfshirë edhe ato që nuk kanë qenë në qeverisje deri tani?
Ambasadori Dell: Ato që kanë qenë në qeverisje në të kaluarën dhe po edhe ato që janë pjesë e procesit politik.
Mt: Arrestimi i prokurorit për korrupsion po politizohet
“Kosova Sot”: Ju keni thënë se korrupsioni është problem për të cilin të gjithë flasin, por të paktë janë ata që bëjnë diçka për këtë. Para dy ditësh, një prokuror special i Task Forcës kundër korrupsionit është arrestuar për korrupsion. Si mund ta luftojmë korrupsionin nëse gjykatësit dhe prokurorët janë të ndikuar politikisht dhe të korruptuar?
Ambasadori Dell: Së pari, këto janë dy pyetje të ndryshme. A janë të ndikuar politikisht? Kjo është e ndryshme nga çështja e korrupsionit, apo jo? Sa di unë nga ajo që kam lexuar nga gazetat, kjo çështje nuk ka të bëjë me ndikimin politik: thjesht ai është akuzuar se ka marrë para për interes. E dyta, ky është lajm i mirë dhe lajm i keq. Qartazi, lajmi i keq është se ‘kush i ruan pulat nëse dhelpra është në krye të kotecit’? Nëse personi që është përgjegjës për ndjekjen e veprave të korrupsionit është vetë i përfshirë në korrupsion, atëherë kjo përbën problem. Natyrisht që akuzat duhet të dëshmohen, prandaj nuk dua të nxjerr një përfundim të nxituar për këto akuza.
“Kosova Sot”: Opozita akuzoi kryeministrin Thaçi duke thënë se ai është njeriu i tij: ai e ka vënë atë aty…
Ambasadori Dell: Kjo natyrisht është qesharake sepse ne të gjithë e dimë se ai është emëruar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një procesi, dhe ai është verifikuar pikërisht për këtë arsye: për t’iu shmangur këtyre problemeve. Mendoj se kjo është përpjekje e partive për ta politizuar këtë çështje. Por, lajmi i mirë për këtë ngjarje është se edhe pse ky individ është akuzuar për përfshirje në veprimtari korrupsioni, sistemi e ka zbuluar dhe ka vepruar kundër tij. Prandaj, edhe pse mendoj se është shumë shqetësuese që njeriu që është në krye të luftës kundër kësaj dukurie është akuzuar se ka bërë diçka të keqe, lajmi i mirë qëndron në faktin se sistemi ka vepruar kur një gjë e tillë ka dalë në dritë. E kjo është shenja e parë shpresëdhënëse që e kam parë në një kohë të gjatë.
“Kosova Sot”: Në Kosovë janë disa mekanizma kundër korrupsionit, si agjencia, këshilli dhe të tjera, po nuk po shohim rezultate apo ato janë modeste. Opinioni publik mbetet i shqetësuar edhe në qoftë se jemi vend i vogël dhe ‘çdonjëri njeh tjetrin’. Është shumë vështirë që të mos vërehet kur dikush nga hiçi bëhet milioner brenda natës. Por, partitë politike po ngurrojnë të miratojnë ligjin që rregullon konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme. A janë liderët politikë fajtorë për këtë zvarritje?
Ambasadori Dell: Edhe njëherë dua të theksoj se nuk është puna thjesht vetëm tek udhëheqësit. Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit. Fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit.
Të hetohet ndikimi politik në gjyqësor
“Kosova Sot”: Dhe në tërë këtë ne e lamë anash çështjen se a ka ndikim politik mbi gjykatësit dhe prokurorët. A mund ta sqaroni pak këtë gjë? A dyshoni se po ushtrohet ndikim mbi ta? Ne raportojmë përditë se politika ka ndikim mbi ata
Ambasadori Dell: Nuk e di. Më vjen keq, nuk mundem në mënyrë të pavarur… Unë nuk jam në pozitën e gjykatësit, jurisë dhe prokurorit për këto çështje. Këto gjëra duhet të hetohen. Nuk mund t’i përgjigjem kësaj.
Akuzat për mediet, “ato e dinë se për çka po flisja”
“Kosova Sot”: Keni thënë se gazetat dhe mjetet e tjera të informimit shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale. Ditëve të fundit njerëzit po flasin pa pushim për këtë dhe të gjithë po përpiqen të gjejnë se për kë e kishit fjalën. A mund të jeni pak më specifik?
Ambasadori Dell: Jo, unë mendoj se të gjithë në Kosovë e dinë saktë se për kë e kam fjalën. Nëse një i huaj i kupton lidhjet ndërmjet agjendave politike, interesave afariste dhe shfrytëzimit të medieve për t’i promovuar ato, atëherë unë jam plotësisht i sigurt se të gjithë në vend e dinë saktë se për çka po flisja.
Korrupsioni, problem i mbarë shoqërisë kosovare
“Kosova Sot”: Keni thënë se për t’ia sjellë fundin korrupsionit do të thotë t’ia sjellësh fundin mënyrës së gjertanishme të të bërit biznes. Kjo do të thotë vendin e punës e merr njeriu më i kualifikuar për atë punë e jo ndonjë anëtar i familjes ose i fuqishëm partie pa asnjë përvojë përkatëse. Kjo do të thotë respektim të pavarësisë së institucioneve qeveritare e jo trajtim i tyre si mjet për të shtyrë përpara interesat e veta. Si mund ta arrijmë apo bëjmë këtë?
Ambasadori Dell: Shikoni, lufta kundër korrupsionit është problem afatgjatë. Nuk është gjendja përfundimtare, por ky është proces. Dua të jem i qartë. Unë nuk jam ulur në ndonjë kullë të fildishtë prej nga po them se vendi im apo cilido vend tjetër evropian është i pastër nga problemi i korrupsionit. Korrupsioni vazhdon të jetë problem edhe në vendet si atdheu im ku ekzistojnë sisteme të destinuara dhe njerëz të përkushtuar për ta zbuluar atë. Kjo është natyra e njeriut dhe njerëzit gjithmonë do të tundohen për të ‘marrë rrugën e shkurtër’ për të përparuar duke përdorur korrupsionin. Prandaj, mendoj se gjëja më e rëndësishme që duhet të ndryshojë në Kosovë është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin. Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci. Nuk ka zgjidhje të thjeshtë. Por, ndryshimi ndërmjet vendit tim dhe Kosovës është se edhe pse ne ende përballemi me problemin e korrupsionit, populli atje pret që ata që kryejnë vepra të korrupsionit do të kapen, kurse në Kosovë shoqëria e konsideron këtë si pjesë të zakonshme të të bërit biznes. Mendoj se kjo është ajo që duhet të ndryshojë rrënjësisht nëse duam ta tejkalojmë këtë problem. Ka edhe gjëra të tjera që mund të bëhen. Sinqerisht, unë jam i zhgënjyer që nuk ka pasur asnjë rast të suksesshëm të ndjekjes penale të ndonjë figure të rëndësishme të akuzuar për korrupsion. Ndoshta ata individë që janë akuzuar deri tash me të vërtetë kanë qenë të pafajshëm. Unë nuk mund ta gjykoj këtë, por ia vlen të përmendet se asnjë person i lartë apo person i rëndësishëm politikisht nuk është ndjekur penalisht për korrupsion. Kjo dërgon sinjal të gabuar te shoqëria dhe vetëm sa inkurajon vazhdimin e këtij problemi. Kjo është zhgënjyese dhe mua më vjen keq që e shoh këtë gjë, si dhe sinqerisht më vjen keq që EULEX-i nuk ka pasur më shumë sukses në këtë.
“Kosova Sot”: A do të thotë kjo se po humbasim betejën kundër korrupsionit? Prej ardhjes së EULEX-it e deri tash nuk kemi parë asgjë efektive. “Peshqit e mëdhenj” përfundojnë si ‘blof’; jeni në dijeni për rastin e ish-guvernatorit që u shpall i pafajshëm. Pra, a po humbasim betejën kundër korrupsionit?
Ambasadori Dell: Së pari, unë nuk mendoj se fakti se ish-guvernatori u gjet i pafajshëm është ndonjë indikacion për ndonjë gjë tjetër përveç për faktin se drejtësia pati rrjedhën e vet. Nëse dëshmitë nuk kanë qenë mjaft të forta, atëherë nuk është pyetja nëse sistemi ka dështuar, por nëse akuzat kanë qenë të rreme. Nuk dua t’ju bashkohem në supozimin se ai ishte fajtor, por ja që u nxor disi. Nuk e di këtë. Ekzistojnë më shumë shpjegime se si kjo gjë përfundoi. Kjo është e qartë. Një prej sfidave këtu është se të huajt nuk e njohin shoqërinë tuaj nga brenda ashtu siç e njihni ju. Ne kurrë nuk mund të hyjmë aq thellë nën sipërfaqe. Nuk mund të mendosh se EULEX-i mund ta kuptojë tërë rrjetin e shoqërisë suaj që vepron në hije, siç e kam thënë edhe në fjalim, dhe mendoj se është e kotë të shpresosh se do të vijë një entitet i huaj i cili do të zgjidhë këtë problem për ju. Sërish, tërë poenta e porosisë sime ishte se zgjidhja duhet të vijë nga vetë shoqëria, përndryshe nuk ka zgjidhje. EULEX-i nuk do ta zgjidhë këtë problem. As Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zgjidhin atë. Shkurt, nuk ka zgjidhje tjetër nëse vetë kosovarët nuk e zgjidhin atë. Më pyetët se a është duke u përkeqësuar ky problem? Po, nuk ka asnjë dyshim se ky problem po përkeqësohet në Kosovë. Kjo është arsyeja se pse unë ndjeva se ka ardhur koha të flas hapur dhe të them diçka, sepse për mua është e qartë se ky problem ka arritur përmasat e krizës.
Shembulli inkurajues i presidentes
Institucionet, e nuk e kam fjalën për Qeverinë e tanishme, por e kam fjalën për të gjitha institucionet e shoqërisë suaj, duke filluar nga grupet e komuniteteve deri te bashkësitë fetare, asnjë prej tyre nuk po e trajton në mënyrë efektive problemin e korrupsionit. Të gjithë janë të palumtur për shkak të tij. Të gjithë drejtojnë gishtin kah tjetërkush. Por, të gjithë presin dikush tjetër të bëjë diçka për ta zgjidhur atë dhe nuk merren vetë me të. E për këtë unë mendoj se shembulli i presidentes është me të vërtetë një ndryshim freskues dhe shumë i mirëseardhur.
KE-ja e bllokoi para dy vjetësh shkarkimin e shefave të prokurimit
“Kosova Sot”: Njëri prej problemeve më të mëdha është zhvillimi ekonomik. Korrupsioni dekurajon investimet e huaja të drejtpërdrejta. Siç e keni thënë, në Kosovë ka kundërshtime të forta politike. Politikanët në Kosovë, nga niveli komunal e deri te Qeveria qendrore, nuk janë duke bërë asgjë për të ndihmuar investitorët e huaj; në vend se të ofrojnë ndihmë, ata duan një përqindje të investimit për ta futur në xhepat e tyre. Si mund të ndalet kjo?
Ambasadori Dell: Fillimisht, mendoj se mënyra se si shprehemi është me rëndësi dhe ju vazhdimisht po përdorni fjalën ‘politikan’. Por, ky problem nuk kufizohet vetëm te politikanët. Edhe shërbyesit civilë përfshihen në aktivitetet e korrupsionit. Më kujtohet kur kryeministri para dy vjetësh ka dashur të shkarkojë të gjithë shefat e prokurimit nëpër ministri si masë drastike për të spastruar problemin e korrupsionit, sepse mendoj se këtu të gjithë e kuptojnë se shefat e prokurimit luajnë një rol të rëndësishëm në atë që po ndodh, dhe atëherë Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian e pati bllokuar këtë gjë sepse shefi i atëhershëm i Zyrës ndërlidhëse të KE-së pati menduar se kjo do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut. Ky problem, pra nuk ka të bëjë vetëm me politikanët. Ka të bëjë edhe me shërbyesit civilë, me zyrtarët qeveritarë që nuk mund të shkarkohen. Ka të bëjë edhe me atë që bashkësia ndërkombëtare i kontribuon duke marrë qëndrime që ia lidhin duart Qeverisë, edhe në rastet kur ajo tregon gatishmërinë për të ndërmarrë masa të rrepta. Ky problem është i përhapur. Po e them këtë vazhdimisht sepse dua të përqendroheni në të. Unë nuk dua që kjo gjë të jetë në qendër të vëmendjes së luftës së përgjakshme, duke marrë për gojë dikë me emër dhe duke iu vënë prapa personave të caktuar veç pse është kënaqësi të bësh një gjë të tillë. Kjo nuk ka të bëjë me Kris Dellin dhe agjendën e tij si dhe faktin se ai tash është duke u larguar nga këtu. Njerëzit që e thonë këtë gjë shkurt vetëm po mundohen që ta largojnë këtë ngjarje nga fakti se korrupsioni është problem. Ata do të dëshironin që unë të jem në qendër të vëmendjes ose ta vë kryeministrin ose kryetarin e Prishtinës në qendër të vëmendjes, ose ndonjë individ tjetër të caktuar sepse kjo pastaj heq vëmendjen nga tregimi i vërtetë.
Disa e ndiejnë se janë afër zjarrit
Të gjithë këtu e dinë shumë mirë se unë kam thënë të vërtetën kur kam thënë që “korrupsioni është problem i madh, është problem mbarëshoqëror”. Kjo është arsyeja pse kjo gjë ka shkaktuar një reagim aq të madh. Komentet që i kam parë nga disa komentues nëpër mjetet e informimit janë vetëm përpjekje për të tërhequr vëmendjen e njerëzve, sepse mendoj se këta individë kanë ndjerë se janë shumë afër zjarrit.
Fundi i pritjes
“Kosova Sot”: Nuk ka dyshim se shumica e kanë pritur shumë mirë këtë fjalim. E kam fjalën për popullin, e jo për partitë politike. Por, pyetja që dëgjohej shpesh ishte pse ju desh një kohë kaq e gjatë që ta thoshit këtë. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?
Ambasadori Dell: Çfarë ndikimi do të kishte pasur sikur ditën e dytë pas mbërritjes në Kosovë të mbaja një fjalim të tillë. Njerëzit do të thoshin: kush është ai? Çka di ai? Çfarë të drejte ka ai për të folur në atë mënyrë? Kam pritur derisa kam qenë i bindur se e dija dhe e kuptoja situatën, natyrën dhe shtrirjen e problemit. Derisa nuk e kuptuam se ky problem nuk do të korrigjohej nëse dikush nuk flet hapur me forcë. Pastaj prisja një rast dhe mundësi të përshtatshme për të folur për këtë temë. Ceremonia e diplomimit të gjykatësve dhe prokurorëve të rinj dukej si mundësia e përkryer për të folur për të, meqenëse kjo është një çështje themelore e vendosjes së sundimit të ligjit në vendin tuaj.
“Kosova Sot”: Ambasador, ju faleminderit shumë për ndihmën tuaj. Unë me të vërtetë e shoh këtë si ndihmë sepse e shoh se populli i Kosovës i beson më shumë Qeverisë së SHBA-së sesa Qeverisë së tyre. Ky është fakt. Dhe po ashtu, për arsye se ju me të vërtetë keni kontribuar dhe keni hapur shumë çështje me fjalimin tuaj. Shpresoj se gjërat do të përmirësohen dhe t’ju shohim së shpejti në Prishtinë.
Ambasadori Dell: Unë shpresoj se kosovarët vetë do të fillojnë të punojnë për këtë gjë më shumë se sa të mbetet vetëm në një fjalim timin. Asgjë që unë e them ose e bëj nuk do të ndryshojë faktin nëse ky ndryshim nuk vjen nga brendia. Kjo është porosia që dua ta përsëris. Duhet të vijë nga vetë populli. Unë mund të them diçka për të, por unë nuk mund ta ndryshoj atë dhe shpresoj se kjo gjë kuptohet.
“Kosova Sot”: Ju faleminderit shumë. Gjithë të mirat!
Ambasadori Dell: Ju faleminderit shumë. Mirupafshim!

Nisin hetimet ndaj Behgjet Pacollit
e premte, 06.04.2012 – 08:50
Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën ligjore ndaj…








