CIA në 1949: Suksesi i operacionit tonë, të frenojmë Greqinë

 

URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=97690
CIA në 1949: Suksesi i operacionit tonë, të frenojmë Greqinë

 
 
 

(Dërguar më: 28/04/11) NGA Auron Tare

Në dosjet e shërbimeve sekrete amerikane të deklasifikuara, një tjetër dokument i koduar vjen nga një prej njerëzve që CIA kishte vendosur në krye të punëve për të mbledhur faktet për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, si dhe shqiptarët nëpër botë. Dokumenti i dërguar në 21 mars 1949 tregon se CIA e ka pasur shumë të vështirë të penetrojë brenda vendit, nëse nuk do të kishte një mbështetje të fortë të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, të ndarë në tri grupime të mëdha, por të vendosur në disa shtete si Greqi, Itali, Siri, Egjipt dhe vende të tjera. Zyrtari i lartë i CIA-s pranon se të gjitha grupimet, në vitin 1949 kanë pasur kontradikta me njëri-tjetrin, por për hir të një kauze më të madhe, siç është në fakt edhe rrëzimi i qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, këto grupe do të bashkohen. I dërguari i CIA-s sugjeron se njeriu i përshtatshëm për të bërë këtë punë dhe për të pasur një rol honorifik por jo aktiv në gjithë bashkimin e tyre, duhet të jetë Mit’hat Frashëri, ndërsa në rolet aktive përcaktohen shqiptarë të tjerë. Një ndër problemet më të mprehta në raportin e marsit 1949 për CIA-n, është pikërisht roli dhe pretendimet e Greqisë karshi Shqipërisë. Për shkak të një politike antishqiptare dhe me pretendime territoriale sidomos për jugun e Shqipërisë, qeveria greke vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë, çka në fakt nuk e ndihmon situatën. Eksponenti i CIA-s sugjeron që qeveria amerikane duhet të shprehet qartë dhe hapur që nuk mbështet asnjë pretendim territorial të Greqisë nga Shqipërisë, sepse për shqiptarët, duket se Greqia ka mbështetjen e SHBA. Dhe e gjithë kjo, sugjerohet që të bëhet nëpërmjet medias. Megjithatë, në dokumentin e plotë, do të gjenden shumë nga faktet sesi është paraqitur Shqipëria e vitit 1949, por edhe cili ka qenë roli i shqiptarëve nëpër botë, apo vetë ai i CIA-s, për të arritur në sukses të operacionit për rrëzimin e komunistëve në Shqipëri. 
TOP SEKRET 
21. Mars. 1949 
Për: PILIGRIM 
Nga: CICERO 
OPERACIONI SHQIPTAR 
Për të rrëzuar qeverinë aktuale dhe zëvendësimin e saj me një qeveri të pëlqyer prej nesh, mbetet shumë për t’u bërë në terren përpara se ne të ndërmarrim hapa konkrete. Ne duhet të koordinojmë veprimet tona në momentin kur Ushtria Kombëtare Greke është fitimtare në Epir dhe kur një qeveri Greke në Athinë nuk është duke shfryrë me zemërim kundër Shqipërisë. Kjo kërkon pritje si dhe shumë punë. Unë mendoj se duhet të jetë e qartë se në se ne do të provokojmë një ndryshim me dhunë tani në Shqipëri, kur një pjesë e madhe e Greqisë Veri- Perëndimore nuk është akoma nën autoritetin e Qeverisë së Athinës atëherë rrezikojmë të përhapim rrezikun të cilën Shqipëria e përfaqëson sot për ne, nëpërmjet transferimit të një vakuumi pushteti të vogël në një zonë më të madhe. Sa qartësisht është kundër interesave tona kjo gjë provohet nga fakti që KOMINFORMI po përpiqet që të zmadhojë një vakum pushteti të vogël (Greqia e Lirë) në një zonë më të madhe vakuumi pushteti (Maqedonia). Jam i sigurt se është po ashtu e qartë se një ushtri fitimtare në Epir dhe një qeveri armike në Athinë kundrejt Shqipërisë në propagandën e saj, nuk përbëjnë konditat të cilat do të lehtësonin veprimet tona. Ne duhet që duke punuar për një zgjidhje të situatës në Greqi të bëjmë të mundur bashkimin e refugjatëve shqiptarë. Përderisa në vendet demokratike grupet e ndryshme politike shqiptare do të harxhojnë energjinë duke luftuar njëra-tjetrën, ne nuk mund t’iu ofrojmë shqiptarëve në vendin e tyre një shfaqje më të mirë se ajo që ata kanë sot me përjashtim të ndoshta një ndryshimi të vogël që vjen duke përfshirë ndryshimin e një Qeverie që mban pushtetin nëpërmjet dhunës dhe metodave policore me një tjetër Qeveri e cila për shkak se ka një bazë të vogël mbështetësish përdor po të njëjtat metoda. Brenda Shqipërisë ne duhet të përqendrohemi rreth një programi „zbutës“ kryesisht nëpërmjet medias dhe transmetimeve radiofonike nga a) Zëri i Amerikës, b) Radio në Athinë me një linjë propagandistike shumë të ndryshme nga ajo që ka sot c) Projekti i Radios në Thesalonik. 
Në të njëjtën kohë duhet të rrisim infiltrimet nga kufiri i Greqisë nëpërmjet organizatave tashmë operacionale, si dhe atyre që do të krijohen në të ardhmen. 
E fundit, ne duhet të ndajmë mendjen tonë përfundimisht se çfarë ekzaktësisht duam në Shqipëri dhe të përgatitemi që tani për „vazhdimësinë e projektit“, në mënyrë që të mos përballemi me surpriza të pakëndshme në rastin e një suksesi të operacioneve tona. 
Secila nga pikat e mësipërme janë shqyrtuar me përpikmëri dhe duken të pranueshme në paragrafin tjetër. Disa prej rekomandimeve janë të përfshira gjithashtu. Pika e fundit është e një natyre që duhet të diskutohet në Washington, pasi nuk ka arsye të ngrihet këtu në këtë dokument. Më poshtë diskutohen disa nga pikat më të rëndësishme të situatës aktuale. 
FAKTORI GREK 
Forcat Kombëtare Greke 
Ushtria Kombëtare Greke është e organizuar në 8 Divizione Këmbësorie, 3 Brigada të pavarura, 4 grupe Komandosh si dhe 96 Batalione të Forcës Kombëtare. Nga këto 55 janë të përbëra nga rekrutë ndërsa të tjerat nga Garda Kombëtare. Gjithashtu Ushtria Kombëtare Greke disponon mënyra të ndryshme mbështetëse si Artilerinë, korpusi i inxhinierëve, regjimente të koracuara, sinjalistika si dhe shërbimet e logjistikës. Totali i njohur i Ushtrisë Greke është 197.000 nga të cilët 39. 496 janë personel administrativ dhe trajnues i qendrave stërvitore dhe shkollave ushtarake, katedë të shkollës ushtarake, trajnues të oficerëve në rezervë si dhe ushtarë në kampet bazë të stërvitjes si dhe personel i klasifikuar si Y (personel që mungon me arsye për shkak të plagosjeve, sëmundjeve etj). Po kështu ekziston një forcë prej 2000 vetash në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm. Njësitë luftarake të Ushtrisë Kombëtare Greke përfshin Komandën, krahun e këmbësorisë dhe njësitë ndihmëse diku rreth 133.804. Korpuset dhe njësitë që nuk marrin pjesë direkt në luftime janë 23.700 vetë. Ushtria mbështetet nga 7.200 vetë të Forcave Ajrore, Flota 14.300 vetë, Xhandarmëria 23.00 vetë, si dhe Policia Civile 8.000. 
Menjëherë pasi Gjenerali Papagos u emërua si Komandant i Përgjithshëm në Janar, morali i trupave është rritur shumë. Kjo rritje e moralit erdhi nga disa faktorë. Gjenerali Papagos pati shumë fat në betejën e Follorinës kur ai i mundi mjaft keq banditët. Operacioni i pastrimit të Peloponezit po shkon mjaft mirë. Ai ka urdhëruar që kudo ku është e mundur trupat luftuese të tërhiqen dhe të bëjnë pushim. Me ndihmën e Misionit Ushtarak Amerikan, Gjenerali Papagos ka beretë mundur që të sigurojë pagesa për familjet e ushtareve në njësitë luftarake si dhe të rrise pagesat për oficerët. Misioni Amerikan, Qeveria Greke dhe populli në përgjithësi i kanë dhënë atij mjaft ndihmë. Ky motivim i ri si dhe këmbëngulja për të triumfuar është përqendruar dramatikisht tek lidershipi frymëzues i Zonjës Grady në demonstratat kombëtare në 25-30 Mars, i cili të jepte përshtypjen e një përtëritjeje kombëtare në një shkallë të gjerë. 
BANDITET 
Gjenerali Papagos në përshkrimin e 5 Shkurtit që u bëri taktikave dhe objektivave të banditëve tha se, objektivi kryesor i tyre nuk ishte marrja e pushtetit me forcën e armëve por që të krijonin një situatë të patolerueshme për popullsinë nëpërmjet shkatërrimeve duke krijuar kështu kushtet e një mosbesimi të thellë të popullsisë në aftësitë e liderëve kombëtarë si dhe të qeverisë në impozimin e rregullit dhe ligjit. Në këtë mënyrë banditët do të bënin të mundur që me humbjen e besimit dhe uljen e moralit të arrinin atë që nuk e bënin dot nëpërmjet forcës së armëve. Gjenerali shtoi po kështu se Komanda e Përgjithshme e banditëve mendon se koha punon në favorin e tyre dhe ata (banditët) shpresojnë se me kohë të gjitha këto të këqija të shtohen. Për të arritur këto objektiva banditët kanë krijuar baza kudo në terren dhe prej andej sulmojnë rrugët e komunikimit si dhe fshatrat, duke krijuar kushte që popullsia lokale të mos ndihet e sigurt dhe të zhytet në mizerje. Këto taktika të gueriljeve janë të vështira për t’u ndaluar në një terren kaq të thellë malor. 
Forca e Banditëve në Janar të 1948 ishte 21.500 vetë. Në Janar të 1949 forca e tyre ishte 25.000 vetë, e mbështetur nga një forcë rezervë prej 6000 vetash të vendosur në Shqipëri, Jugosllavi dhe Bullgari. Për këto forca kemi raporte se kanë me vete 2 topa malorë 105 milimetra, 24 topa malorë 75 milimetra, 4 topa malorë 65 milimetra, 24 topa kundër tankeve dhe kundërajrorë 30 milimetra. 
Banditet janë shumë mirë të pajisur me armë të vogla dhe municione për to. Kjo forcë banditësh është e mbështetur nga një forcë e organizuar në brendësi të territorit e quajtur Njësitë e Mbrojtjes Civile, si dhe pjesëmarrës vullnetarë apo jo vullnetarë në radhët e tyre. Në zonat e kufirit banditët mbajnë baza brenda territorit grek dhe që shërbejnë si pika sulmi apo pika tërheqjeje në rast nevoje nga Shqipëria, Jugosllavia apo Bullgaria. Disiplina (bazuar kryesisht në metoda terroriste) në të gjithë territorin e aktivitetit të tyre (por varet edhe nga zonat) është kryesisht e mirë në fillimin e këtij viti. Banditët planifikojnë, sipas të dhënave të robërve të kapur, por të konfirmuara edhe nga Gjeneral Papago, që të rrisin numrin e sulmeve, të cilat të ulin moralisht më shumë popullsinë lokale, të rrisin numrin e refugjatëve, si dhe të rikapin zonën e Thesalisë dhe Rumelisë pas pastrimit nga ana e Ushtrisë Kombëtare në 1947 dhe 1948. Gjatë javëve të fundit morali i banditëve u ul shumë si rezultat i operacioneve të suksesshme të Ushtrisë Kombëtare Greke në Peloponez por edhe si rezultat i konfuzionit që paraqiti Komanda e Lartë e banditëve dhe që solli zhgënjimin e shumë grekëve, vullnetarëve ndërkombëtarë apo komunistëve kur plani për ndarjen e Greqisë u zbulua për opinionin e gjerë. Liderët banditë duke parashikuar fitore të reja të Ushtrisë Kombëtare, si dhe duke parë entuziazmin e ri që ka hyrë në vend po bëjnë plane për të fuqizuar moralin e pasuesve të tyre. 
SITUATA USHTARAKE 
Gjenerali Papagos në ekspozenë e tij në 5 Shkurt vendosi objektiva të qarta të Ushtrisë Kombëtare duke bërë të mundur që nëse këto objektiva të plotësohen, atëherë Faza e Parë e kushteve për fillimin e Operacionit në Shqipëri të jetë plotësuar. 
QENDRIMI I QEVERISE GREKE 
Qeveria greke i qëndron mendimit se lufta midis Shqipërisë dhe Greqisë e filluar në 28. Tetor 1940, legalisht vazhdon edhe sot. Ajo (qeveria greke) nuk humbet asnjë rast për të shprehur zemërimin e saj kundër Shqipërisë, si dhe të theksojë kërkesat territoriale kundër saj. Dëshiron të shkëpusë nga Shqipëria dhe për t’ia bashkangjitur Greqisë një territor në perëndim të kufirit ekzistues afërsisht sa një e pesta e Shqipërisë së sotme. I transmeton pikëpamjet e saj vazhdimisht në radio dhe në momente të caktuara i vendos ato në gojën e ministrave apo gazetarëve të caktuar. Qeveria greke nuk bën asnjë dallim midis qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. Në vazhdim të këtij qëndrimi, ajo (qeveria greke) i trajton shqiptarët në Greqi jo më mirë se trajtimi që iu bëhet armiqve gjatë kohës së luftës. Kam mësuar se çdo shqiptar që ka qenë refugjat në Greqi dhe tashmë është larguar prej andej, ndihet mjaft i fyer dhe armiqësor ndaj qeverisë greke. Si shembull i sjelljes mjaft neglizhuese dhe armiqësore ndaj këtyre shqiptarëve po sjell rastin e një grupi shqiptarësh, të cilët para disa muajsh u dërguan në Itali nën një program të Kombeve të Bashkuara, të cilët u lanë në mëshirë të natyrës pa një strehë në kokë deri sa u larguan për në Itali. Si rezultat i kësaj sjelljeje të vazhdueshme armiqësore nga Greqia kundrejt Shqipërisë si dhe pretendimet e saj për aneksimin e Jugut, shqiptarët jashtë dhe brenda Shqipërisë nuk ka dyshim që e konsiderojnë Greqinë armike të tyre. Nën këto kushte do të ishte shumë e vështirë për çdo shqiptar të ndershëm dhe me reputacion të punonte për të çliruar vendin e tij nga Greqia. Shqiptarët që janë akoma në Greqi, janë më të ndjeshëm ndaj qëndrimit të Greqisë dhe si rrjedhim nuk mund të jenë pozitivë për të ndihmuar. Në fakt shumë shqiptarë në Greqi e konsiderojnë qeverinë greke jo si antikomuniste, por si antishqiptare. Për këtë kanë të drejtë. 
Ne duhet sa më parë të modifikojmë qëndrimin zyrtar grek nëse do të duan që të krijojmë një atmosferë në harmoni me synimin tonë për ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kjo gjë duhet të bëhet edhe sepse shqiptarët mendojnë, gabimisht, se ky qëndrim i qeverisë greke ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe i kanë informuar grekët se ne nuk i mbështesim ata në pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë. Amerika i konsideron këto pretendime si etnikisht të pabazuara, strategjikisht me shumë pak vlerë dhe historikisht pa bazë. 
Megjithatë, duket se ne mund të sjellim një ndryshim të mjaftueshëm në qëndrimin e qeverise greke nëse do të përdorim ndikimin e disa prej seksioneve të ambasadës sonë në Athinë. Për këtë qëllim, ambasadori ka udhëzuar shefin e Seksionit Politik që në takime informale me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ta ngrejë çështjen e qëndrimit grek ndaj Shqipërisë, si dhe ta ripërsërisë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pretendimeve territoriale. Në këto biseda duhet të këmbëngulet vazhdimisht që qëndrimi antishqiptar i qeverise greke të kthehet në një qëndrim plotësisht i qartë antikomunist shqiptar. Ambasadori gjithashtu ka udhëzuar shefin e USIS për të përdorur influencën e tij në Radio „Athina“ me qëllim që transmetimet e drejtuara ndaj Shqipërisë të jenë të një karakteri që do të ndihmojë projektin tonë. Me këtë qëllim shpresoj të arrijmë një marrëveshje me Radio „Athinën“ që për sa i përket transmetimeve për Shqipërinë të përdorin materiale, të cilat do të transmetohen edhe nga „Zëri i Amerikës“. Kështu që do të arrijmë të vendosim themelin e punës sonë dhe Greqia t’i bëjë kërkesat e saj në një moment tjetër, si dhe publiku ta pranojë këtë tërheqje nga këto pretendime. Nëse kjo mënyrë e të vepruarit do të japë rezultatin e dëshiruar, atëherë kemi përmbushur fazën e dytë të konditës së parë të perifrazuar në përmbledhjen time për të vazhduar në mënyrë të suksesshme Operacioni kundër Shqipërisë. Nëse kjo mënyrë e të vepruarit nuk jep rezultatin e dëshiruar, atëherë duhet të përdorim metoda më të ashpra. 
REFUGJATET SHQIPTARE NE MESDHEUN LINDOR 
Refugjatët shqiptarë të cilët janë të vendosur në Turqi, Greqi, Siri, Itali dhe Egjipt, janë pjesë e tri grupimeve më të mëdha politike. Balli Kombëtar, një organizatë republikane nën udhëheqjen e Mit’hat Frashërit, Mbretërorët nën Mbretin Zog dhe të Bllokut Kombëtar Indipendent, një organizatë konservatore e udhëhequr nga Ismail Verlaci. 
1. Turqia 
Për momentin në Turqi gjenden rreth 300 refugjatë shqiptarë. Mit’hat Frashëri, Presidenti i Ballit Kombëtar është atje duke u përpjekur që të organizoje një Front unik midis shqiptarëve. Nëse e bën këtë, atëherë ai shpreson që të sigurojë njohje ndërkombëtare nga Fuqitë Perëndimore njësoj si G.M Dimitrovi i Bullgarisë. Frashëri dhe pasuesit e tij më të ngushtë mendojnë se regjimi i Enver Hoxhës nuk mund të përmbyset pa një përpjekje serioze. Ata mendojnë se përpjekja për ta rrëzuar Hoxhën duhet të jetë e mbështetur nga një forcë ekspeditionare shqiptarësh e pajisur mirë me armë dhe municione. Ata gjithashtu mendojnë se çdo përpjekje për një revolucion brenda Shqipërisë do të pengohet fuqimisht nga autoritetet sovjetike dhe se komunistët e kontrollojnë vendin në mënyrë kaq strikte, saqë asnjë Operacion nuk mund të ketë sukses nga brenda, por duhet të organizohet nga jashtë. Ghazi Khan Bezolli pretendon dhe ka shumë mundësi që është përfaqësuesi i Mbretit Zog në Turqi. Shërbimi Sekret Turk për interesin e tyre më thonë se Avni Dërrhalla, një ish-Kolonel në Ushtrinë e Zogut, është përfaqësuesi i Zogut në Turqi. Ghazi Kani vazhdimisht deklaron se Zogu ka pranuar faktin që do të njohë çfarë do lloj forme qeverie që shqiptarët do të zgjedhin me referendum pasi regjimi i Hoxhës të bjerë. Ai shton se ish-mbreti është i gatshëm të bashkëpunojë me çfarë do lloj grupimi politik i cili është i gatshëm të punojë për rrëzimin e Hoxhës. Ghazi Khan beson se situata politike në Shqipëri është e gatshme për një revolucion të brendshëm dhe ky revolucion mund të ketë sukses pa ndihmën e jashtme nga Fuqitë e Mëdha. Ky këndvështrim optimist i Ghazi Kahn, në fakt është më shumë një qëndrim i shpirtit aventuresk të tij se sa nga informata të sigurta që mund të ketë nga brenda Shqipërisë. 
Një oficer në Konsullatën tonë të Përgjithshme, të cilit i kërkova informacion mbi shqiptarët, më tha se „nuk ka se çfarë të mësosh prej tyre. Turqit marrin çdo pikë informate nga refugjatët e rinj që vijnë këtu përpara se t’i lënë të lirë. Të vjetrit e kanë mendjen te ndonjë ndihmë financiare, ndonjë punë apo ndonjë ndihmë për të afërmit e tyre si dhe me shpresën se ndonjë forcë zbarkuese amerikane do t’i mbështesë kur të kthehen në shtëpitë e tyre. Ky ishte opinioni i ndershëm i një oficeri, por për mua tregon gjithashtu nevojën për të rihapur një Zyre Informacioni në Stamboll nën drejtimin e ndonjë oficeri me eksperiencë, i cili di se si të mbledhë informacione me çdo mënyrë të mundshme. Unë mendoj se është e nevojshme dhe urgjente jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet pas Perdes së Hekurt dhe mendoj se person më të mirë se zoti Roy Melbourne nuk mund të gjejmë për këtë detyrë. 
2. Egjipti 
Në Egjipt ndodhen rreth 50 refugjatë shqiptarë të rëndësishëm. Gati të gjithë janë anëtarë të suite mbretërore apo ish-zyrtarë të qeverisë të cilëve iu është dhënë strehim politik me ndërhyrjen e Mbretit. Të gjithë duken apo të japin përshtypjen që mbështesin lidershipin e Mbretit. Më të njohurit e kësaj mërgate janë: Sotir Martini Ministër i Oborrit Mbretëror, Hysein Selmani Adjutant si dhe lajmës midis Mbretit dhe Mërgatës, Princi Sali, nipi i Selmanit, Kemal Bey Mesaria, Camberleni i Mbretit, Kolonel Abaz Kupi lider gueril dhe themelues i Partisë së Legalitetit, Abdul Scola Konsull i Paraluftës në Kajro, Prof. Gaqo Gogo Adjutant i motrave të Zogut, Musa Juka ish-ministër i Brendshëm i periudhës së Zogut, Mit’hat Frashëri ish-Regjenti i gjermanëve, Mustafa Kruja ish-kryeministër Kuisling deri në 1943, Xhafer Deva Ministër i Brendshëm i gjermanëve, Koço Muka Ministër Kuisling nën gjermanët, Ali Këlcyra antikomunist, lideri i Ballit Kombëtar si dhe Sali Myftia, lider mysliman nga Shkodra. 
Që nga ardhja në Kajro në pranverën e 1946, Zogu ka krijuar lidhje shumë miqësore dhe të ngushta me Farukun si dhe me familjet mbretërore italiane dhe bullgare. Ai ka qenë shumë aktiv në krijimin e prestigjit të vet nëpërmjet bashkatdhetarëve dhe sidomos në vendosjen e refugjatëve shqiptarë në Lindjen e Mesme. Dëshira e Zogut është krijimi i një qeverie mbretërore në mërgim dhe nëse nuk ka sukses, krijimi i një komiteti kombëtar për çlirim nën udhëheqjen e tij. Thuhet se ai ka dëshirë që të jetë aktiv në luftën kundër komunistëve dhe se ai do t’ia lërë vendimin mbi qeverisjen e vendit dëshirës së shprehur nga shqiptarët. Gjithsesi, deri më tani ai nuk ka treguar dëshirë për të arritur një marrëveshje me ish-armiqtë e tij politikë në mënyrë që fjalët e mira t’i kthejë në vepra. Megjithatë, miqësia me Farukun, pozita e tij e dikurshme, pasuria personale si dhe kapaciteti i tij për intriga e bëjnë atë një fuqi që duhet të merret në konsideratë, me gjithë numrin relativisht të vogël të Mërgatës shqiptare, për çfarëdolloj revolucioni që mund të ndërmerret në Shqipëri. 
Ambasada jonë në Kajro thotë në një nga mesazhet e saj dërguar vjeshtën e kaluar se „Askush (nga shqiptarët) nuk ka kontaktuar me ne në gjashtë muajt e kaluar“. Ky mesazh tregon se kjo ambasadë nuk ka qenë aktive në ndjekjen e problemit shqiptar. Mendoj se Departamenti nuk është i interesuar. 
3. SIRIA 
Nga informacioni që kam, në Siri ndodhen 150 refugjatë shqiptarë. Shumica janë myslimanë të sjellë nga Italia dhe të vendosur në Siri me ndërhyrjen e Mbretit Zog. Pak a shumë janë të gjithë nën kontrollin e Zogut. Me sa kam informacion, nuk janë shumë të kënaqur në shtëpitë e tyre të reja dhe dëshirojnë të largohen në Itali dhe prej andej në Perëndim. Nuk e kam vizituar Sirinë personalisht që me fillimin e punës në këtë projekt. 
4. GREQIA 
Në Greqi ndodhen më shumë se 500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët rreth 350 do të largohen për në Itali nën një program të IRO (Kombet e Bashkuara) të sëmuret dhe pleqtë do të mbeten në Greqi. Një prej figurave më të rëndësishme të Ballit Kombëtar në Greqi është Abaz Ermenji. Zogistët më të rëndësishëm janë Gjeneral Prenk Previzi, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare progjermane, Kolonel Hysni Dema, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë progjermane, si dhe Kolonel Fiqiri Dine. Nëse qeveria greke do manovrojë për të penguar largimin e disa prej liderëve shqiptarë, ambasada jonë do të ndërhyjë jo zyrtarisht në favor të atyre shqiptarëve që do të konsiderohen të rëndësishëm. 
5. ITALY 
Në Itali duhet të jenë rreth 1500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët vetëm gjysma jetojnë në kampet e IRO. Grupimet politike janë tri dhe të mirëprezantuara. Balli Kombëtar: Sekretari i Përgjithshëm, Vasil Andoni, Halil Maci, Jani Dilo, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Hasan Dosti. Blloku Kombëtar Indipendent: President Ismail Verlaci, Sekretar Ali Vrioni, Xhemil Dino, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj. Zogistët: Ferid Dervishi, Zef Sereqi. 
Jemi me fat që në Itali kemi oficerë me eksperiencë, të cilët janë në dijeni të situatës dhe me të marrë instruksionet tona janë të aftë të drejtojnë ngjarjet. 
REKOMANDIME 
Mendoj se liderët e tri grupimeve politike të refugjatëve nuk janë të aftë për të krijuar një bazë për marrëveshje midis tyre. Sigurisht që mund të afrohen me njëri-tjetrin si pasojë e urrejtjes që kanë për armikun e përbashkët, komunistët, të cilët tashmë qeverisin vendin e tyre, por ata nuk mund të harrojnë urrejtjen që kanë për njëri-tjetrin si dhe dëshirën që kishin përpara se të vinin komunistët për t’i larë hesapet me njëri-tjetrin si rivalë politikë. Unë besoj se bashkimi nuk mund të vijë si pasojë e dëshirës së tyre, por do të ishte e udhës që ne të forcojmë një grupim duke bërë të mundur që të tjerët të bashkohen me të si nevojë për mbijetesë. Unë mendoj se kjo do të ishte relativisht e mundur nëse qeveria jonë do të bënte të mundur që jo zyrtarisht të jepte idenë se ishte e gatshme të mbështeste në luftën kundër komunistëve një grup të caktuar si dhe lidershipin e saj, duke bërë që grupimet e tjera politike të kuptonin se ne do të donim që ata t’i bashkoheshin këtij grupimi provizorisht, duke bërë të mundur që edhe pjesa tjetër e refugjatëve të ishin në të njëjtin mendim deri në momentin që komunistët të rrezoheshin dhe një referendum të bënte të mundur përcaktimin e formës së qeverisë së ardhshme, të cilën vetë shqiptarët do ta dëshironin. 
Përzgjedhja e grupit që do të udhëheqë praktikisht, nënkupton zgjedhjen nga tri grupimet ekzistuese. Duke i marrë të gjitha parasysh dhe duke e vlerësuar situatën prej këtej si dhe reagimin e shqiptarëve dhe botës demokratike, unë mendoj se zgjedhja më e mirë është Mit’hat Frashëri, lideri i Ballit Kombëtar. Nëse ju vendosni për të, është e rëndësishme që të kihet parasysh që për moshën dhe karakterin e tij, ai duhet të jetë një lloj figure honorifike dhe jo një figurë aktive e kësaj lëvizjeje. Roli aktiv i kësaj lëvizjeje duhet të drejtohet nga një prej zëvendësve të tij si Jani Dilo apo Abaz Ermenji. Nëse ju më jepni të kuptoj se jeni dakord me këtë propozim timin, atëherë unë do të bëj një udhëtim në Egjipt me Horation për t’i prezantuar ambasadës sonë idenë tonë dhe jam i sigurt që ata nuk do të kenë asnjë problem që Horatio të kontaktojë njerëzit e Zogut për t’i prezantuar qëndrimin amerikan dhe për t’i dhënë atij mundësinë që t’i bëjë fjalët e tij vepra konkrete në bashkëpunimin në luftën kundër komunizmit. 
Ky aksion me të gjitha konditat praktike do të garantojë plotësimin e kushteve esenciale për Fazën e Dytë në organizimin me sukses të Planit Operacional kundër Shqipërisë. Vazhdimi i këtij Operacioni do të garantohet nga oficerët tanë në Itali, në bazë të lidershipit dhe njerëzve që do të kenë në dispozicion. 
vijon numrin e ardhshëm