Falja e kufijve Greqisë, Kolonel Pasha

Falja e kufijve Greqisë, Kolonel Pasha: Ja të fshehtat e marrëveshjes

» Dërguar më: 29/09/2009 – 12:13
Lajme nga Arkivi
Falja e kufijve Greqisë, Ministria injoroi studimin e Pashait
• Datë: Sep 29, 2009

• Debat në „Studio 24“ mbi marrëveshjen shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Kolonel Myslim Pasha: Shqipërisë i është ndërprerë e drejta për një pjesë sovrane në ngushtesën e Otrantos.
MINISTRIA INJOROI STUDIMIN E KOLONELIT  Version multimedial i ketij lajmi

TIRANE- Marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve shkel sovranitetin kombëtar duke i dhuruar hapësira detare vendit fqinj. Ka qenë kjo teza e mbrojtur nga ish-drejtori i Institutit Gjeografik të Shqipërisë, kolonelit në rezervë Myslim Pasha, në emisionin “Studio 24” të televizionit NEWS24 .

Në një program për më shumë se dy orë hartuesi i studimit prej 117 faqesh, historiani dhe politikani, Pëllumb Xhufi si dhe 2 gazetarëve të “Gazeta Shqiptare” Artan Hoxha, drejtuesi i emisionit “Xhungël dhe Tedi Blushi, botues i shkrimeve në “GSH” kanë disktuar lidhur me të fshehtat që fshihen pas kësaj marrëveshjeje.

Debati u orientua kryesisht mbi studimin prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Gjeografik të Shqipërisë, kolonelit Myslim Pasha

Kolonel Pasha duke sqaruar në hartë tregoi se eshtë ndërprerë në mënyrë tërësore, e drejta e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushtesën e Otrantos, në cënimin detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore (contigous zone) si dhe hapësirës së veçantë ekonomike. Sipas kolonelit është cënuar drejtpërdrejtë Sovraniteti Kombëtar dhe mosmbrojtja e së Drejtës Detare të dhënë nga KONVENTA (UNCLOS). “Ngushtesa u përket vetëm dy shteteve përballë, Italisë dhe Shqipërisë. Republika e Greqisë përfiton në këtë rast në të tri drejtimet si në atë verior ( në mes të Ngushtesës), në perëndim ku ka hapësirë detare më Italinë, në Jug ku është universi i saj natyror ujor.” – thuhet në raport

Nje tjeter skandal i shënuar në këtë marrëveshje është dhe ajo cfare ka ndodhur me hapësiren detare në Gjirin e Sarandes, i cili edhe pse është det shteteror i Shqipërise eshte trajtuar si nje vije bregore e zakonshme..
“Në bisedime, duket se as që nuk është argumentuar dhe nuk është trajtuar veçoria historike, gjeostrategjike dhe ekonomike e GJIRIT TË SARANDËS” thotë në raportin e tij Kolonel Pasha.

Politikani dhe historiani Pëllumb Xhufi ka shprehur indinjatën politike, sa i takon informimit të pakët që shumë ligjvënes kanë për përcaktimin e kufijeve te vendit.

“Studimi prej 117 faqesh i kolonelit Myslim Pasha në argumentet e tij teknike, gjeo-hartografike, synon ti hap të parë krijimin e një opinioni mbarëkombëtar, për të mos e ratifikuar këtë Marrëveshje”. Ish-drejtori i Institutit Gjeografik të Shqipërisë thotë se studimin do tia vërë në dispozicion dhe medias italiane.

Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndersa pritet të kaloje për miratim ne kuvend me 19 tetor. Ai që do të mbrojë këtë marrëveshje para deputeteve është ministri i ri i Jashtëm Ilir Meta.
(s.g/BalkanWeb)

Falja e detit per greket. Puto: Po shkelet sovraniteti

» Dërguar më: 29/09/2009 – 08:07
 
Lajme te ngjashme
Arben Puto: Marrëveshja shkel sovranitetin tonë
• Datë: Sep 29, 2009

Tedi Blushi

Historiani dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Arben Puto, gjatë një interviste ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” denoncon hapur marrëveshjen shqiptaro-greke, për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, që sipas tij shkel sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Akademiku Puto i bën thirrje Parlamentit për të mos e ratifikuar këtë marrëveshje.
“Gazeta Shqiptare” publikoi një ditë më parë një studim prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Gjeografik të Shqipërisë, kolonelit Myslim Pashaj. Ky studim analizonte marrëveshjen shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve dhe arrinte në konkluzionin se kjo marrëveshje “shkel hapur sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet ratifikuar nga Parlamenti”. Cili është komenti juaj për këtë studim?
Nuk është hera e parë që unë përballem me këtë problem. Sepse “Gazeta Shqiptare” e ka shtruar këtë çështje disa muaj para, menjëherë sapo u firmos marrëveshja. Para se gjithash dua të theksoj se arritja e një marrëveshjeje të natyrës së ngjashme nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo të paligjshme. Për rastin konkret duhet të kemi parasysh se kufijtë e Shqipërisë me Greqinë janë përcaktuar me Protokollin e Firences të vitit 1926 dhe ato janë përcaktuar në një kohë kur çështjet e detit nuk ishin zgjidhur definitivisht. Neni 10 i këtij protokolli, thotë, citoj se “Çështje të ndryshme që do të dalin për përcaktimin e vijës së kufirit, të cilat nuk janë parashikuar nga ky protokoll do të jenë objekt i marrëveshjeve të drejtpërdrejta midis qeverive”. Pra në parim, një çështje që nuk ka qenë trajtuar në kohën e vet mua më duket normale të trajtohet në këtë kohë. Por studimi i kolonel Pashaj më shtie në mendime. Dua ta them qysh në fillim që unë nuk e quaj veten të aftë të trajtoj problemet që ka shtruar koloneli në mënyrë kaq të hollësishme. Është një studim teknik.
Nga ky studim nxjerr dy konkluzione. Së pari që vijësia e ujërave territoriale është matur në mënyrë krejt të padrejtë. Unë do të marr në mënyrë të veçantë Gjirin e Sarandës. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shkelje të hapur, pasi gjiret janë ujëra të brendshme dhe kufiri i ujërave territoriale fillon nga kufiri i brendshëm. Së dyti më duket krejt e padrejtë që gjerësia e ujrave territoriale të matet nga disa ishuj, që në fakt nuk janë ishuj por shkëmbinj, siç është rasti i Barketës. Greqia e quan këtë shkëmb pjesë të arkipelagut duke filluar të bëjë matje nga bregu i këtij ishulli. Nga skema që ka bërë kolonel Pashaj, shikoj që këta ishuj nuk është se përbëjnë një arkipelag. Sepse arkipelag do të thotë ishuj që përbëjnë një unitet. Nuk më duket se mund të bëhet fjalë për një Arkipelag të Korfuzit dhe nuk më duket e denjë që të fillohet të matet gjerësia pikërisht duke filluar nga bregu i këtyre ishujve siç është Barketa. Koloneli i ka vënë shumë mirë në dukje këto defekte.
Ju përmendët dy shkelje, që të paktën i keni identifikuar nga studimi i kolonel Pashajt. Në një rast të tillë, çfarë duhet të ndodhë me këtë marrëveshje? A duhet ajo të ratifikohet nga Parlamenti shqiptar apo jo?
Problemet që ka shtruar ky studim janë sipas mendimit tim, tepër serioze dhe duhen parë me kujdes. Nga gjithë argumentet që ka sjellë ky studim teknik, del që janë shkelur kriteret duke dëmtuar hapësirën detare të Shqipërisë. Veçanërisht më duket e drejtë ajo që thuhet në studim se palë të kanalit të Otrantos janë vetëm Shqipëria dhe Italia. Me këto matje nga këta ishuj, Greqia ka hyrë në kanalin e Otrantos. Shqipëria dhe kanali i Otrantos, në bazë të kësaj marrëveshjeje nuk janë më ballë për ballë. Për shkak të këtyre problemeve duhet që të shikohet me seriozitet ky studim. Di që në Komisionin parlamentar të Ligjeve, kjo marrëveshje ka kaluar. Është shumë i nxituar ky aprovim që është dhënë në këtë mënyrë, aq më tepër në dritën e këtyre të dhënave që e bëjnë të domosdoshme rishikimin e saj. Sipas studimit rezulton se kjo marrëveshje është në dëm të sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet të ratifikohet nga Parlamenti.
Deri tani nuk ka pasur asnjë transparencë nga qeveria për këtë marrëveshje. Nga përvoja juaj si një ekspert i së drejtës ndërkombëtare, që keni qenë shpeshherë në dijeni të arritjes së marrëveshjeve të kësaj natyre, a duhet që ato të bëhen publike për opinionin apo jo?
Padyshim që po. Qysh kur “Gazeta Shqiptare” shprehu dyshimet e para për parregullsitë e kësaj marrëveshjeje, duhej që qeveria të bënte publike argumentet dhe arsyet përkatëse pse kjo marrëveshje duhet miratuar e mandej ratifikuar. Aq më tepër në dritën e këtyre të dhënave duhet të dalin e të thonë, si e pse, e të na shpjegojnë si qëndron e vërteta sipas tyre. Pavarësisht kësaj unë këmbëngul që kjo marrëveshje është në dëm të sovranitetit territorial të Shqipërisë. Është i saktë konkluzioni i përgjithshëm që nxjerr ky studim.
Çfarë ndodh në rast se ratifikohet një marrëveshje e tillë me shkelje kaq flagrante?
Këtu ke të bësh me një marrëveshje midis shteteve. Përgjegjësi individuale nuk ka. Por përgjegjësi të shtetit, të qeverisë, po. Unë gjykoj që marrëveshja duhet të hidhet poshtë, pra të mos ratifikohet dhe në këtë mënyrë kjo çështje merr fund. Ratifikimi është mjeti që gjykon në mënyrë përfundimtare: a është apo jo e drejtë kjo marrëveshje. A i dëmton ajo interesat e vendit, apo jo. Përderisa kjo marrëveshje i dëmton interesat e vendit dhe cënon sovranitetin territorial, ajo nuk duhet ratifikuar.
Kjo marrëveshje prek edhe interesat e Italisë për sa i përket kanalit të Otrantos. A mund të krijojë një incident diplomatik me Italinë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje?
Sigurisht, pasi këtu preket dhe Italia. Tani është çështje që duhet të trajtohet nga Italia vetë, pasi kemi një cënim të statutit të kanalit të Otrantos, status që e kanë momentalisht vetëm dy palë, Shqipëria dhe Italia. Mendoj që kjo marrëveshje shumë shpejt do të tërheqë vëmendjen e autoriteteve italiane, veçanërisht do të tërhiqte vëmendjen sikur në Kuvendin tonë kjo marrëveshje të mos ratifikohej.
Nga pikëpamja strategjike, çfarë interesi mund të ketë Greqia për të hyrë në kanalin e Otrantos?
Të zgjerojë hapësirën e saj ujore dhe të shfrytëzojë pasuritë që mund të ketë. Pastaj këtu preken edhe interesat e Italisë sepse hyn midis këtij shteti dhe Shqipërisë, dhe kjo ka të bëjë direkt me sigurinë e dy shteteve. Është një çështje që ka të bëjë me integritetin territorial të këtyre dy shteteve. Pastaj mund të ketë edhe implikime ushtarake dhe kjo është vërtet një çështje serioze.
Në datën 19 tetor është caktuar zhvillimi i seancës plenare për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Cila është këshilla juaj për deputetët shqiptarë, qoftë edhe të atyre të opozitës që mendohet të mungojnë…
Unë nuk pretendoj të jem në gjendje që të jap këshilla. Por unë them që kjo çështje duhet parë me kujdes e me seriozitetin më të madh sepse kanë dalë probleme të dyshimta, konkluzioni i të cilave është që dëmtohen interesat e Shqipërisë. Deri në 19 tetor, pas këtyre fakteve të reja që po dalin do të ketë kohë të mendohen të gjithë. Shpresoj jo vetëm ata të maxhorancës, Ministria e Jashtme, si organi përkatës, por edhe ata të minorancës, pasi kjo është një çështje që prek interesat e vendit dhe nuk mund të lihet pa u trajtuar seriozisht