Interpol – Xh.Hasanbelliu – Ben Qimja – Ilirjan Sallku

DITARI I KRIMINELIT


Police Killer: Hasanbelliu  1998 Skhozet – Durres Albania

» Dërguar më: 22/02/2009 – 08:49
Lajme te ngjashme

Gerti Xhaja

TIRANE -Gazeta publikon sot pjesën e tretë të ditarit të të penduarit për krimet e bandave të Fierit, Ilirjan Sallku. Ngjarjet datojnë në vitin 2002 dhe Sallku përshkruan bisedën me Arben Isufin, i njohur si Ben Qimja, gjatë rrugës për të shkuar në Shkodër, tek Isa K., ku Qimja blinte mina me celularë dhe armë. Aty diskutohet për një person të cilit, Gazeta i publikon inicialin e emrit dhe mbiemrin e plotë Xh.Hasanbelliu, i implikuar në një vrasje dhe plagosjen e Kasandër Nogës, ky i fundit ish-student i Akademisë së Policisë, i “kthyer” në një nga vrasësit më të tmerrshëm në Shqipërinë e pas vitit 1997. Sallku është arrestuar në vitin 2005, sipas tij, 20 ditë para se të martohej. Është i dënuar me 16.5 vjet burg. U arrestua për tentativën e vrasjes së Arta Dhjarit dhe fëmijëve të saj. Sipas policisë, Sallku kishte vrarë vëllanë e Dhjarit, Genci Muhan dhe donte të vriste dhe të motrën e këtij për të mbyllur hetimet. Vetë Sallku e pranon vrasjen e Muhos, por edhe që kishte fituar pafajësinë për këtë krim, pasi kishte paguar për të korruptuar gjykatësit dhe prokurorin 30 milionë lireta më 14 qershor 1999. Sallku rezulton të jetë plagosur në sulmin ndaj PD-së në vitin 1997, në mbrojtje të godinës.
Biseda me Qimen
“…Më pas Isai më merr në telefon. Më thotë se kishte gjetur disa armë të tjera dhe na fton që të shkonim t’i shihnim. Unë i bëj ftesë Ben Qimes dhe R.., shokut të tij dhe ikim në Shkodër. Sa hymë në autostradë bie zilja e telefonit. Flet Ben Qimja. Sa mbaron me të, Qimja më thotë se ishte ‘hetuesi’. ‘E kam shokë – thotë. – Ai do më ndihmojë nëse më vjen letra nga Interpoli. Ai do ta zhdukë fare atë’. Bëhet fjalë për Xh.Hasanbelliun (për këtë kishte diskutuar në telefon). Në vitin 2002 Hasanbelliu ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe për të pritej që të vinte një porosi nga Belgjika – këtë ma ka treguar Ben Qimja. Letra që pritej të vinte nga Belgjika bënte fjalë për vrasjen e hasmit të tij Julin, si dhe ka plagosur Kasandër Nogën. Xh.Hasanbelliu ka qenë bashkë me Miklovanin nga Vlora, Miklovanin e kam pasur dy vjet në burgun e Tepelenës. Ben Qimja e ndihmonte Hasanbelliun  dhe kishte mjaft detyrime për të, pasi ai me gjithë Julianin vranë në Spanjë hasmin e Benit, Pajtimin. Juliani që tashmë ka vdekur, është nipi i Benit. Jo vetëm me Julianin por edhe me kushëririn e Benit, R…, unë kam pasur shoqëri. Ai më ka treguar edhe për vrasjen e Lad Hasanit. Unë me R…, kushëririn e Ben Qimes, shokun e tij R…, dhe me Benin kemi shkuar bashkë në Maqedoni me makinën time. Nëse vinim në Shkodër tek Isai, shkonim në krah të djathtë të rrugës pasi andej është kufiri. Poshtë një ure, 1 km larg vjen një shoku i Isa Kryeziut që sjell armët. Beni i shikon me radhë dhe provon edhe vetë një armë të rëndë. Me të në dorë kthehet nga unë dhe thotë: ‘Ilir, unë dua një armë të mirë se do t’i zhduk çamët e malit’. Ai qëllonte. Qëllova edhe unë e R…. Më pas drekuam së bashku. Ben Qimja edhe pse provoi shumë armë, nuk bleu asnjë atë ditë, por arriti dhe bleu një makinë të vjedhur të tipit “Audi” për gjashtë mijë euro. Shoku i tij R…, atë ditë gjatë kthimit u sëmur mjaft rëndë. E çuam në spital dhe u ndamë. Marr vesh disa orë më vonë se R…, kishte hequr apandesitin.”
Agim Boriçi
“Vrasës, grabitës personash, shitës droge, vënie gjobash, pra  me pak fjalë të gjitha poshtërsirat ka bërë ai”, – kështu e përshkruan Sallku në ditarin e tij Agim Boriçin.
“… Agim Boriçi sot ndodhet në burg. Ai vrau Mond Zefin dhe plagosi shokun e tij, Agim Mulën. Vrau Altin Yzeirin bashkë me Edi Binxhon, pastaj vret edhe këtë të fundit që e kishte shok të ngushtë. Dhe për të realizuar vrasjen e Edi Binxhos, merr bashkëpunimin e kushëririt S.D.. Gim Boriçi ka qenë shumë vite para se të arrestohej në arrest shtëpie, por në banesën e tij prokurori N.T., dhe avokati T.K., hanin darka bashkë tek shtëpia e tij. Sot prokurori N.T., ka dalë për korrupsion nga puna. Agim Boriçi dhe A.M., vranë Tanin tek lokali “Zërat e Natës”. Kur udhëtuam bashkë për në spitalin e burgut, Agim Boriçi më tha: ‘Ilir, më futën në burg nga inati se mora të gjithë tenderat në Fier dhe e di se kush ma bëri. E di këtë. Vetëm mos dalsha prej këtej’…”
Vrasja e Agim Dervishit
Maksi Q…, ka vrarë Agim Dervishin. Gimi ka qenë shok me mua, me Selam Ramën, Fatmir Krasniqin, Adriatik Resulin. Rinim shpesh bashkë edhe me një Gecë Nilo nga Hoxhara e Fierit. Gimi ishte zënë me Maksin për rrugën me makinë. Gimi nuk kishte duruar dhe kishte nxjerrë pistoletën. I kishte shpuar gomat Maksit dhe i kishte thënë, ‘po të lajmëroj se herë tjetër e ke në kokë’. Pas kësaj Tiku, Miri dhe unë ikëm në Itali. Selam Rama kishte ikur para nesh dhe vjen të na takojë. Më mori për darkë dhe më thotë se janë hapur fjalë për mua sikur kam dorë në vrasjen e Zudhapit. Më thotë gjithashtu se nuk kishte të bënte fare me këtë vrasje dhe se atë e kishte kryer Maks Q….”
Vrasja e Paulin Toskës
“Fatmir  K…, Arben V…, Altin P…, Lenc K…, si dhe Bledi F…, janë shokë. Edhe unë dikur kam qenë shokë me ta. Me tre të parët kemi qenë në birucat e policisë së Fierit gjatë vitit 1999. Fatmir K., nga Fermë-Çlirimi, u arrestua për grabitjen e makinës së lekëve  që drejtohej nga Klodi Nana. Ai e nxori emrin e Fatmir K., në polici. Në gjykatë gjithçka u rrëzua, pasi Fatmir K., u lirua shumë kohë para meje sepse bëri presion. Arben V., ka shkaktuar një plagosje në Patos, por pagoi lekë dhe doli paq. Lenc K.,  akuzohet për një grabitje. Ai ka grabitur një gjirokastrit në bashkëpunim me kushëririn e tij, Agim K. U lirua pasi pagoi lekë dhe arriti që gjirokastriti i grabitur të ndryshojë thëniet. Fatmir K., Arben V., Altin P., dhe Lenc K., kanë plagosur në gusht të vitit 1999 tek shkolla “Mark Dashi” në Fier Julian Topallin, të cilit iu këput këmba më vonë. Arben V., Fatmir K. dhe Altin P., kanë vrarë Paulin Toskën nga frika se mos ai merrte hak për Julin. Më vonë në Milano, Lenc K., dhe Bledar F., kanë vijuar aktivitetin e tyre. Bledar F., sot është në grup me Arjan Selimin. Altin P., është në burg…”
Dhuna në burgje
Pjesë e ditarit të Sallkut, të cilin ai e quan “Ditar i krimeve që unë di”, është edhe trajtimi e dhuna që ushtrohet në burgje. Sallku sjell një episod ku protagonist është polici i burgut të Peqinit, të cilit ne i kemi publikuar vetëm inicialet L.A., dhe që sipas ditarit, është personi që e pyeste rreth bisedave dhe dëshmive që Sallku jepte për prokurorët dhe oficerët e policisë për ngjarjet kriminale të bandave të Fierit.
“Unë kam vuajtur rrahjen e burgut të Tepelenës, atë të burgut të Burrelit, por dhuna ndaj të burgosurve në formën më çnjerëzore regjistrohet në burgun e Peqinit. Unë këtë burg e quaj ‘Burgu i Spaçit’, që kishte emër para ‘90-ës. Në burgun e Peqinit rrihen të burgosurit, degjenerohen në kulme. Ju tregoj një shembull: Ishte një djalë nga Elbasani me emrin Liu. Ai u zu me një korçar në burg. Kur po rriheshin këta dy të burgosur rastësisht erdhi shefi L.A., dhe e qëllon mjaft fort Liun. Liu ia kthen dhe shefi i policisë e qëllon më pas me grusht. Por edhe Liu vijon ta qëllojë me grushte. Kur e qëllonte shefi i policisë Liun e shkretë, e shante edhe nga robtë. I thoshte që ‘të q… motrën’, ‘mua më qëllon o b…q…’. Ia merrte kokën dhe ia shkelte me këmbë. Kur e çuan në izolim Liun, i thyen edhe dy brinjë. L.A., e rrihte Liun natën. Ia lagte dyshekun me ujë kur bënte ftohtë dhe kur ishte dimër i madh. E detyroi me torturat e tij që Liu të priste damarët e duarve për të vdekur. Shefi L.A., ia nxiu jetën Liut. Këto tortura nuk bëheshin edhe në kohën e Enver Hoxhës. Në atë kohë dhe në hetuesi speciale nuk të trajtonin si trajtoi L.A-ja, Liun e gjorë, por për çudi kjo ndodhte në vitin 2007, në kohën kur qeveriste PD-ja. Familja e Liut bën denoncim pranë Avokatit të Popullit për shefin dhunues. Familja e hoqi denoncimin prapë, pasi shefi L.A., i thoshte Liut: ‘Hiqe denoncimin që dhe unë të trajtoj më mirë’. Shefi i policisë ra në kompromis me Liun që të hiqnin të dy palët denoncimin pasi sipas tij, ishin burra dhe e mbanin fjalën…”

Comments are closed.